Gashi: Raporti i Progresit nuk konstaton rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka deklaruar se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian nuk evidenton rënie të nivelit të përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë, pavarësisht bllokadës institucionale gjatë periudhës raportuese.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet raporti, Gashi ka theksuar se duhet bërë dallimi ndërmjet nivelit të përgatitjes dhe ritmit të progresit.
“Në këtë kontekst, duhet të dallojmë dy vlerësime të Komisionit Evropian: nivelin e përgatitjes dhe nivelin e progresit. Niveli i përgatitjes tregon sa afër jemi me standardet evropiane, ndërsa niveli i progresit e mat periudhën 12-mujore raportuese, atë të bllokadës. Pavarësisht bllokadës, raporti nuk konstaton rënie në nivelin e përgatitjes së Kosovës në asnjë fushë të vetme. Përkundrazi, vlerësimi për ritmin e progresit është përmirësuar në reformën e administratës publike, drejtësi, liri dhe siguri, statistikë, lëvizje të lirë të kapitalit, politikën rajonale dhe lirinë e shprehjes. Ndërkohë, në luftën kundër krimit të organizuar ka avancuar në nivelin e përgatitjes”, potencoi ajo.
Ajo shtoi se bllokada institucionale gjatë periudhës raportuese ka pasur pasoja konkrete për vendin, përfshirë mosmiratimin e ligjeve, ngadalësimin e reformave dhe vonesat në miratimin e Planit të Rritjes.
“Raporti i Progresit duhet lexuar në kontekstin politik dhe institucional në të cilin është hartuar. Gjatë periudhës raportuese, Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje: një palë lokale dhe dy palë nacionale. Këto procese zgjedhore ishin demokratike, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Mbi të gjitha, ky raport e identifikon bllokadën institucionale në qendër. Bllokada institucionale ka kosto reale, me ligje të pamiratuara, pasi nuk ka ekzistuar Kuvendi, reforma të ngadalësuara, pasi kemi pasur një qeveri në detyrë, dhe vonesa në miratimin e Planit të Rritjes. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura kanë pasur mungesë të mbikëqyrjes së Kuvendit”, shtoi Gashi.
Lexo edheOsmani: Zhvendosja e fototgrafive po tentohet të arsyetohet si diçka normale, por vendet përballë tualeteve e ç’nderojnë Republikën
Ajo, duke iu drejtuar deputetëve të LDK-së gjatë seancës së Kuvendit për Raportin e Progresit, ka rikthyer në vëmendje kritikat e Komisionit Evropian për transparencën e skemave të mbështetjes ekonomike në vitin 2020.
“A ju kujtohet, kolegë të dashur të LDK-së, viti 2020? Në vitin 2020, Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime për transparencën e skemave të mbështetjes ekonomike. A ju kujtohen 60 milionë e 200 milionë që ua jepnit bosëve të biznesit?”, tha ajo.




