Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur me shumë optimizëm për gjasat e “Dardanëve” që të arrijnë kualifikimin historik në Kupën e Botës. Intervista u realizua të enjten në Washington, pikërisht para Shtëpisë së Bardhë, ku të premten në orën 18:00 do të hidhet shorti për Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Për Fodën, vetëm prania në këtë ceremoni i jep ndjesinë se Kosova tashmë është bërë pjesë e futbollit elitar botëror. Megjithatë, ai nuk mohon se ekipit ende i duhet të kalojë dy sfida shumë të vështira për të siguruar biletën e ëndërruar.
Kosova më 26 mars do të udhëtojë në Bratislavë për gjysmëfinalen e plejofit kundër Sllovakisë. Nëse arrin triumfin, “Dardanët” do të presin më 31 mars fituesin e përballjes Turqi–Rumani. Fitorja në të dyja ndeshjet do të thoshte kualifikim i parë në Botëror që nga pranimi i Kosovës në FIFA.
“Kur je pjesë e shortit, ndihesh sikur je në Kupën e Botës. Edhe pse ende nuk jemi zyrtarisht aty, besimi ekziston. Duhet të fitojmë dy ndeshje dhe ne besojmë se mund t’i fitojmë”, ka theksuar Foda.
Ai do të jetë i pranishëm në short së bashku me presidentin e FFK-së, Agim Ademi.
Tekniku gjerman ka deklaruar se Kosova ka pasur një kampanjë kualifikuese të qëndrueshme, duke treguar rritje dhe maturi në lojë. Ai vlerësoi disa prej lojtarëve që janë bashkuar së fundmi me kombëtaren, duke përmendur veçanërisht Fisnik Asllanin dhe Albian Hajdarin, të dy pjesë e Hoffenheim.
“Prurjet e reja kanë qenë vendimtare. Asllani dhe Hajdari e kanë ngritur nivelin e ekipit. Sot kemi një ekuilibër shumë të mirë mes lojtarëve të rinj dhe atyre me përvojë”, ka theksuar ai.
Foda rikujtoi se Kosova ka arritur fitore të rëndësishme kundër Suedisë, Sllovenisë dhe Islandës, duke konfirmuar se ekipi po ecën në drejtimin e duhur.
Duke folur për sfidën e ardhshme, Foda vlerësoi lart kundërshtarin e parë të plejofit. “Sllovakia fitoi 2:0 ndaj Gjermanisë dhe kjo tregon forcën e saj. Por nëse duam të jemi në Kupën e Botës, duhet t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Jemi në formë të mirë, më të vetëbesuar se kurrë dhe bindja jonë është se mund t’i mposhtim këto ekipe”, ka theksuar ai.
Foda foli me shumë entuziazëm për Fisnik Asllanin, të cilin e sheh të gatshëm për një hap të madh në karrierë.
“Ka raportime për interesimin e Bayern Munichut dhe Dortmundit. Ai e meriton një klub të tillë. Është inteligjent, i shpejtë në hapësira të ngushta, teknikisht shumë i fortë dhe shënon gola të rëndësishëm. Për këtë arsye ishte kaq e rëndësishme ta bindnim të luante për Kosovën”, ka deklaruar ai./Indeksonline/