Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vënë kushtin kryesor Qeverisë , që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë të pagesës për veteranët, përndryshe Kosova rrezikon të mos i marrë 100 milionë euro që i takojnë me marrëveshjen Stand By.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse mbetet i njëjti ligj, Kosova do t’i shpenzojë 2 miliardë euro për 20 vjetët e ardhshëm, duke i paguar veteranët, raporton KTV.
Udhëheqësi i ekipit të FMN-së, ka renditur një varg procesesh negative që vendi do të ketë me Ligjin aktual të veteranëve.
Një problematikë të tillë e ka pranuar edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili ka deklaruar se po presin nisjen e procesit të ndryshimit të këtij ligji, me çka presin që të shpëtohet marrëveshja.
Udhëheqësi i ekipit të FMN-së, Miniane, ka thënë se ekonomia vazhdon të performojë mirë, ndërsa rritja ekonomike pritet të jetë e ngjashme me atë të vitit të kaluar.
FMN-ja ka konstatuar se disiplina fiskale përgjithësisht është ruajtur, mirëpo brengosëse është rritja e presioneve nga shpenzimet rrjedhëse.