Festimi i golit i kushtoi shtrenjtë, sulmuesi i Izraelit merr të kuq

Sulmuesi i Izraelit, Saied Abu Farchi, është përjashtuar nga ndeshja ndaj Austrisë, pasi mori kartonin e dytë të verdhë për mënyrën se si festoi golin e tij.
Abu Farchi shënoi në minutën e 55-të, duke barazuar rezultatin në 1-1, pasi Austria kishte kaluar në epërsi në pjesën e parë përmes Romano Schmid nga pika e bardhë.
Pas golit, 20-vjeçari vrapoi drejt flamurit të qoshes, e kapi atë dhe u ul në një gju, përpara se të vazhdonte festimin. Disa raportime pretenduan se futbollisti po imitonte përdorimin e një arme, ndërsa pamjet e festimit kanë nxitur interpretime të ndryshme.
Vetë Abu Farchi më herët kishte publikuar në rrjetet sociale se festimi i tij lidhet me snookerin, duke shkruar: “Është e gjitha një festë e snooker-it”.
Pavarësisht kësaj, gjyqtari e ndëshkoi me karton të verdhë. Meqenëse sulmuesi kishte marrë një karton të verdhë vetëm katër minuta më herët, ai u përjashtua nga loja.
Izraeli mbeti me dhjetë futbollistë dhe Austria arriti të rikthehej në epërsi në minutën e 90-të përmes Phillipp Mwene. Në kohën shtesë, Sasa Kalajdzic shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1 të Austrisë.

Lexo edheE pabesueshme, ky do të jetë kapiteni i ri te Argjentina
Pas ndeshjes, trajneri i Izraelit, Ran Ben Shimon, mbrojti futbollistin duke thënë se Abu Farchi e feston zakonisht në të njëjtën mënyrë.
“Abu Farchi i feston të gjitha golat e tij në këtë mënyrë. Ndoshta ishte faji im që nuk i thashë se duhet të ndalet. Ai duhet të mësojë nga kjo. Është gjithashtu një mësim i madh për ne”, është shprehur Ben Shimon.
Izraeli do të përballet me Irlandën të dielën në Hungari. Irlanda e nisi Ligën e Kombeve me humbje 1-0 ndaj Kosovës në Prishtinë, ndërsa ndeshja e ardhshme ndaj Izraelit pritet të zhvillohet nën vëmendje të madhe për shkak të polemikave që e kanë shoqëruar këtë përballje.














