Shkëndija e Tetovës është eliminuar sot nga Liga e Kampioneve, por do të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar duke marrë pjesë në fazën play-off të Ligës së Europës.
Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri, ka mësuar sot në darkë edhe emrin e kundeërshtarit me të cilin do të përballet në dy javët në vijim, për një vend në fazën në grupe të këtij turneu të dytë për nga rëndësia në Europë. Shorti i UEFA-s e kishte vënë atë përballë humbëses së çiftit të turit të tretë në Ligën e Kampioneve, Ferencvarosh-Ludogorets.
Tetovarët do të përballen me ekipin kampion të Bullgarisë, i cili nuk ia doli të kalonte hungarezët. Pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Bullgari, ndeshja e sotme në Hungari foli vetëm për vendasit që fituan 3-0 e vazhduan më tej në turne. Ndërsa Ludogorets tashmë duhet të bëhet gati për përballjen me Shkëndijën.