Ekonomistët: Inflacioni prej 7.1% po rëndon jetën e qytetarëve, institucionet të ndërmarrin masa për uljen e çmimeve

Ekspertët ekonomikë kanë vlerësuar se inflacioni prej 7.1 për qind në Kosovë po rëndon veçanërisht qytetarët me të ardhura të ulëta, duke kërkuar nga institucionet ndërmarrjen e masave për zbutjen e ndikimit të tij në jetesën e qytetarëve dhe në ekonominë e vendit.
Ata kanë identifikuar varësinë e lartë nga importi, kostot e energjisë elektrike dhe transportit, si dhe mungesën e mbikëqyrjes së tregut si faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve.
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për Ekonomia Online se kjo normë është shqetësuese, sidomos për qytetarët që varen nga pagat dhe të ardhurat e ulëta, duke theksuar se institucionet duhet të ndërmarrin hapa konkretë për ta frenuar rritjen e çmimeve.
“Sigurisht norma e inflacionit e publikuar nga Agjencia e Statistikave është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, sidomos për kategori që varen prej buxhetit të Republikës së Kosovës, apo që marrin paga në nivelin që aktualisht ka. Një normë kaq e madhe, ose dyfishimi në raport me rajonin, për mendimin tim, është shqetësues sepse sigurisht që ndikohet jashtëzakonisht shumë tek qytetarët të cilët kanë të ardhura të vogla. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin hapa të duhur, në mënyrë që të ulin këtë inflacion, i cili po ndikon në jetesën e qytetarëve. Janë disa faktorë që aktualisht Republika e Kosovës ballafaqohet, është varësia nga importi, sigurisht që shumicën e produkteve Kosova i importon dhe ndikohet nga edhe tregjet ndërkombëtare dhe kriza të ndryshme”, tha ai.
Sipas Beqirit, një tjetër faktor që ndikon në rritjen e çmimeve është mungesa e mbikëqyrjes së tregut, pasi, siç tha ai, Autoriteti i Konkurrencës nuk e ka bordin e kompletuar dhe nuk i raporton Kuvendit.
“Pastaj është mosmbikëqyrja e tregut, siç është agjencia, e cila mbikëqyr tregun e konkurrencës. Tashmë siç dihet nuk i raporton Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka bordin e kompletuar dhe për rrjedhojë shumë tregtarë të pandërgjegjshëm po e shfrytëzojnë situatën dhe po i ngrisin çmimet në mungesë të një mbikëqyrje institucionale, siç është Autoriteti i Konkurrencës, i cili pothuajse tashmë as Kuvendit të Republikës nuk i raporton. Pra janë disa faktorë të cilët ndikojnë drejtpërdrejt dhe këta faktorë do duhet që të parandalohen nga institucionet e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Beqiri ka veçuar edhe koston e energjisë elektrike dhe transportit si faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Ai ka kërkuar uljen e kostos së energjisë dhe mbështetje për bizneset prodhuese, në mënyrë që të zvogëlohet varësia nga importi.
“Po njëri ndër faktorët kryesorë të inflacionit është edhe kosto e energjisë elektrike, që tashmë ka arritur rekord. Pastaj edhe transporti që kjo varet krejt bizneset, të cilat për rrjedhojë të ngritjes së çmimeve të transportit apo derivateve ose të energjisë elektrike, do të rriten edhe çmimet dhe barrën kryesore ta bartë konsumatori kosovar. Pra është një zinxhir i cili në fund të fundit përfundon te xhepi i konsumatorit dhe është shumë e rëndësishme që të paktën institucionet e Republikës, përveç statistikave të bukura, përveç fjalimeve të bukura që i mbajnë në Kuvendin e Kosovës, në media, për punësime rekorde, për investime të jashtëzakonshme, për aktivitete ekonomike të cilat pothuajse nuk kanë ndodhur në herët. Në realitet, shumë qytetarë, rreth 25.000 familje ballafaqohen me mbijetesë, me një numër rreth 100.000 qytetarë apo 1/3 e popullsisë e cila varet nga ndihmat e shtetit. Prandaj konsideroj që është shumë e rëndësishme që të ndërmerren masa sidomos në uljen e kostos së energjisë elektrike, pastaj mbështetjen e bizneseve, sidomos bizneseve prodhuese në mënyrë që me ulë sadopak varësinë nga importi, sepse Kosova po thyen rekord çdo ditë e më shumë nga importi dhe varet kryesisht nga krizat e ndryshme ndërkombëtare dhe ne aktualisht nuk kemi pa dorën e shtetit që i ka ndihmuar qoftë qytetarëve, qoftë bizneseve përveç ekspozeve të ndryshme që kanë pasur nëpër portale”, tha ai.

Lexo edheDogana parandalon kontrabandën me fishekë për gjueti
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka shprehur shqetësimin për ndikimin e inflacionit në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ai ka thënë se inflacioni nuk duhet të trajtohet vetëm si shifër statistikore, por edhe përmes ndikimit që ka në jetën e përditshme.
“Brenga ime më e madhe është fakti se si duket në Kosovë statistikat japin rezultate të sakta. Duhet të kuptohet që inflacioni nuk është vetëm një shifër apo një numër, por është ajo çka e përjeton dhe si ndikon te qytetarët dhe te ekonomia. Kosova sot është një shtet i varur nga importi. Kosova sot definitivisht parametrat ekonomik i ka në një stad jo të lakmueshme, prandaj vetë fakti që në vend që të jemi një shoqëri eksportuese apo të kemi prodhim dhe të jemi eksportues, ne jemi një shtet i varur nga importi dhe kjo varshmëri nga importi është duke e ngulfatur ekonominë e Kosovës”, tha ai.
Gërxhaliu ka theksuar se Qeveria, ndonëse nuk e krijon drejtpërdrejt inflacionin, duhet të ndërmarrë masa për ta luftuar atë.
“Është e vërtetë që qeveria nuk krijon inflacion, por qeveria duhet të gjejë mekanizma për të luftuar inflacionin dhe në këtë drejtim manevrimi apo oscilimi, qoftë me akcizën në produkte strategjike, qoftë në përgjysmimin apo ngrirjen e tatimit në vlerën e shtuar në produkte esenciale, ndoshta kishte me qenë vetë një ndihmë që do të ndikonte në shportën e qytetarit. Nuk jetohet nga ndihmat sociale, duhet vërtet të jemi të orientuar drejt zhvillimit ekonomik dhe ky zhvillim ekonomik duhet të involvojë në partneritet sektorin privat dhe në veçanti sektorin prodhues. Nuk ka zhvillim ekonomik dhe partneritet me sektorin privat pa një dialog të mirëfilltë. Ky po i mungon Kosovës dhe dua të besoj që me kalimin e kohës të gjitha këto do të kuptohen, por do të jetë vonë. Është e vërtetë që kemi heshtur atëherë kur kemi pasur sanksione nga Bashkimi Evropian, kemi heshtur atëherë kur nuk kemi pasur institucione dhe stabilitet politik dhe këtë kolateral do ta paguajnë edhe ekonomia, po besoj edhe gjeneratat që do të vijnë në të ardhmen”, tha ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor 2026 ishte 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Në shtator, kjo normë kishte arritur në 7.8 për qind.
Sipas të dhënave të ASK-së për tetorin 2026, rritja vjetore e çmimeve në transport ishte 21.5 për qind, ndërsa në kategorinë e strehimit, ujit, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse 9.7 për qind. Rritje u regjistrua edhe te pijet alkoolike dhe duhani, me 5 për qind, si dhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 4.5 për qind.

