Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka konfirmuar për “Gazeta Blic”, se qëllimi i takimit të liderit të partisë, Albin Kurti me kreun e LDK-së, Isa Mustafa është protesta e cila pritet të mbahet të shtunën e cila për qëllim na ndaljen e e Thaçit që të diskutojë për shkëmbim territoresh me Serbinë.
Nagavci ka treguar se ka qenë vetë Kurti ai i cili ka informuar partinë se do të ketë takim me Mustafën.
“Ne jemi informuar nga kryetari se ai do të takohet me liderin e LDK-së për të diskutuar rreth mundësisë për ndaljen e Hashim Thaçit”, ka deklaruar ajo për Gazeta Blic.
Deputetja e Vetëvendosjes është shprehur e bindur se përkundër deklaratave të përfaqësuesve të LDK-së se nuk e përkrahin protestën, do të ketë pjesëmarrës edhe të zyrtarëve të kësaj parti në organizimin e 29 shtatorit.
Sipas saj ka figura të rëndësishme në LDK që janë pro kësaj proteste.
Tutje Nagavci ka bërë thirrje që LDK e VV ti bashkërendojnë veprimet dhe sa më parë të rrëzohet qeverisja aktuale.
“LDK-ja ka dalë me deklaratë që nuk marrin pjesë në organizim të protestës por në anën tjetër kemi parë figura të rëndësishme të LDK që nuk e kanë kundërshtuar protestën, kështu që ne jemi të sigurte që në ditën e protestës do të ketë edhe anëtarë të LDK-së por edhe përfaqësues të LDK ashtu si edhe qytetarë të shumtë. Në këto momente të vështira për vendin është e rëndësishme që opozita këtë rast VV dhe LDK si dy subjektet më të mëdha opozitare ti bashkërendojnë veprimet e veta për ndërrimin e sa më parë të kësaj qeverisje”, ka thënë Nagavci.
Në anën tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike Ismet Beqiri, në një prononcim të shkurtër të dhënë për Gazeta Blic ka folur për takimin e sotëm ndërmjet liderit të partisë së tij, Isa Mustafa dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Beqiri ka theksuar se ky ka qenë një takim i zakonshëm, që lideri i LDK-së, Isa Mustafa zhvillon edhe me liderët tjerë.Ai tha se është biseduar për zhvillimet aktuale në vend.
“Ka qenë një takim i zakonshëm. Lideri i LDK-së ka takime edhe me drejtues të partive tjera. Është biseduar për zhvillimet aktuale në vend. LDK nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk do të marrë pjesë në protestën e së shtunës”, tha ai për Gazeta Blic.
Beqiri ka theksuar se qëndirmi i LDK-së është shumë i qartë dhe është publik, të cilin e kemi dhënë si parti pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së partisë.“Edhe pse nuk kam qenë në këtë takim, qëndrimi i LDK-së është ai i cili është bërë dje publik”, tha Beqiri.
Ndryshe, para pak çastesh ka përfunduar takimi ndërmjet lideri të LDK-së, Isa Mustafa dhe atij të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Siç merret vesh ky takim ka zgjatur për disa orë, derisa temë diskutimi ka qenë ndalja e Hashim Thaçit nga ideja e tij për ndarjen e Kosovës.
“Në këtë takim është folur për zhvillimet aktuale, e posaçërisht për çështjen e shkëmbimit të territoreve, ide që po e promovon Hashim Thaçi. Pra, për mënyrën se si të ndalet Hashim Thaçi”, thonë burimet e Gazetës.
Këto burime thonë se nuk dihet nëse është arritur ndonjë dakordim për hapat e mëtutjeshëm.
Në anën tjetër, Vetëvendosje ka thirrur protestë për 29 shkurt, mirëpo LDK zyrtarisht ka thënë se nuk do t’i bashkohet kësaj proteste.
Ndryshe, ky nuk është takimi i vetëm ndërmjet dy liderëve. Ata ishin takuar edhe disa herë tjera. Këtë e ka bërë të ditur vetë Kurti në një intervistë të dhënë dje për KTV.
/GazetaBlic/