Deputeti i VV-së jep sinjale pozitive: Jemi shumë afër arritjes së marrëveshjes!

Java që lamë pas nuk u shoqërua me ndonjë takim ndërmjet kryetarit të LDK-së Isa Mustafa dhe kryetarit të VV-së Albin Kurti.
Gjatë këtyre ditëve pati vetëm deklarata dhe ‘ultimatume’ por asgjë konkrete në finalizimin e marrëveshjes.
U raportua edhe për një takim të ‘fshehtë’ në shtëpinë e Isa Mustafës në Prapashticë por nuk dolën detaje shtesë në publik nga ky takim.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar me deputetin e VV-së Haki Abazi për ta pyetur më gjerësisht se kur do të ketë takim ndërmjet palëve dhe a ka dakordim rreth marrëveshjes përfundimtare.
Abazi shkurt ka theksuar se negociatat po vazhdojnë dhe tashmë pothuajse marrëveshja është arritur.

Lexo edheKy është delegacioni i Kosovës që po negocion për hekurudhat në Berlin
“Ajo që mund të thuhet me korrektësi është që po vazhdojnë negociatat për përfundimin e marrëveshjes ndërmjet LDK-së dhe LVV-së në realizimin e asaj që është tanimë pothuajse marrëveshje e arritur” ka thënë shkurt Abazi për Gazeta Blic.
Ishte edhe nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri që ditën e djeshme dha sinjale pozitive rreth një koalicioni të mundshëm me VV-në por i mëshoi faktit se duhet një pushtet i balancuar duke iu referuar postit të Kryeparlamentarit.
Kujtojmë se zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit prishi matematikat në arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse LVV-LDK duke e zgjatur edhe më tej procesin dhe lënë vendin për disa muaj me radhë pa Qeveri. /Gazeta Blic/














