Me muzikë, alkool dhe mish të martën e 29 shtatorit, Dalip Brahimi i njohur si “fajdexhiu më i madh i Prishtinës” së bashku me miqtë e tij janë kapur duke gjuajtur me armë zjarri.
Ahengu është mbajtur në fshatin Praprashticë të Prishtinës.
Në videon të cilën ka arritur ta sigurojë Gazeta Insajderi , “fajdexhiut” edhe të pranishmit dëgjohen duke i dhënë kurajo “kalle Dalip”, derisa ky i fundit përfundon rafalet me armën që mbante në dorë.
Në lidhje me rastin janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.
Policia ka njoftuar se me të pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri, kanë kontrolluar pjesëmarrësit në këtë aheng dhe u kanë konfiskuar armët.
“Policia duke ndërmarr veprime të menjëhershme, ka realizuar një plan taktik duke vendosur disa ‘pika kontrolli për automjete’ në lokacione të ndryshme, ku janë ndaluar disa vetura dhe janë kontrolluar disa persona. Të njëjtit dyshohej se po vinin nga ahengu që ishte mbajtura në fshatin Prapashticë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Nga ky operacion i policisë, janë konfiskuar katër armë të shkurta, janë kontrolluar dhe verifikuar njëzet persona që ishin në vetura, pjesëmarrës në ahengun në fjalë.
“Gjatë kontrollit të automjeteve, tek të dyshuarit: • L.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole TT me dy karikatorë të zbrazët; • E.K. (1980, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe gjashtë fishek; • B.K. (1988, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole GLOK 17 me dy karikatorë (njëri nga ta me kapacitet prej 30 fishekëve); • D.B. (1968, m/k), është gjetur dhe konfiskuar një revole me një karikator dhe nëntë fishekë”, thuhet tutje në komunikatë.
Deri tani nuk dihet se çka ka ndodhur me të dyshuarit që kanë shtënë më armë zjarri, e në mesin e tyre edhe për Dalip Fajdexhiun.
Ajo çka konfirmuar policia është se rasti i është kaluar Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori i DKR në PTH Prishtinë, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, përfundon komunikata e policisë.
Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, por e njëjta ka qenë e paçasshme.
Por, kush është Dalip Brahimi?
Nga autoritetet e drejtësisë Dalip Brahimi njihet si fajdexhi. Ai akuzohet si lider i një grupi jo të vogël kriminal që merrej kryesisht me fajde, pa lënë anash edhe krime të tjera.
Dalip Brahimi, i famshëm njihet për dyshimet e mëdha për kontrollin në biznesin ilegal të fajdeve në Prishtinë. E në 2019-ën, ai ishte liruar nga paraburgimi pas rreth katër muajve
Brahimi, ishte arrestuar më 21 dhjetor të 2018-s nën dyshimet për kryerjen e veprave penale të “fajdesë”, “detyrimit” dhe pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal”.
Por, ky nuk është rasti i parë që biznesmeni i dyshimtë, Dalip Brahimi, ka pasur telashe me ligjin.
Ai ka qenë i akuzuar në një rast për pastrim parash me toka në Çagllavicë, përfshirë Mehmet Prishtinën, shoferin e Azem Sylës, Arton Vilën dhe biznesmenë të lidhur me PDK-në, siç është Bejtush Zhugolli. Mes të akuzuarve ishte edhe djali i ish-kryetarit të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, Albioni.
Përfshirja në këtë rast kishte nxitur dyshime të më mëdha për prejardhjen e parave të tij.
Përpos dyshimeve për kryerjen e veprave penale, biznesmeni Dalip Brahimi njihet edhe për afërsinë me politikanë. Ai njihet për afërsinë e tij me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Një vit më parë Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të madh për të arrestuar Dalip “Fajdexhiun”.
Madje, InDoks për herë të parë në Kosovë ka sjellë një profil të plotë të Dalip Ibrahimit dhe për atë se si funksiononte grupi i tij i fajdeve ne Prishtinë./GazetaInsajderi.org