Kanë kaluar disa orë nga hyrja në fazën përfundimtare të dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka bërë publik asnjë informacion lidhur me subjektet politike që i kanë përfunduar procedurat e aplikimit.
KQZ nuk është duke treguar se cilat parti politike kanë dorëzuar deri më tani listat me emrat e kandidatëve që do të garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Afati për dorëzimin e listave përfundon më 12 maj në orën 24:00 dhe, sipas kalendarit zgjedhor, të gjitha subjektet politike duhet t’i dorëzojnë online emrat e kandidatëve për deputetë dhe dokumentacionin përcjellës për certifikim.
Megjithatë, ndryshe nga proceset e kaluara zgjedhore, deri tani nuk ka pasur njoftime të vazhdueshme nga KQZ-ja për ecurinë e dorëzimit të listave apo për subjektet që kanë përfunduar aplikimin.
Kjo mungesë informacioni ngre pikëpyetje lidhur me transparencën e procesit në një nga fazat më të rëndësishme të përgatitjeve për zgjedhje.
Pas përmbylljes së afatit, KQZ-ja pritet të nisë procesin e verifikimit të kandidatëve, përfshirë kontrollimin e përmbushjes së kritereve ligjore të parapara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Në këtë fazë, institucionet relevante do të përfshihen në verifikimin e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit pritet të marrin pjesë 27 subjekte politike, prej tyre 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.