Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në formatin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e BE-së”, që u mbajt në Kështjellën e Bratislavës, Sllovaki.
Takimi u organizua nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Juraj Blanár, dhe mblodhi delegacionet e trembëdhjetë vendeve, si dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Gjatë seancës hapëse kushtuar integrimit gradual dhe bashkëpunimit rajonal, zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Kosova mbetet e gatshme për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Në seancën e dytë kushtuar sigurisë si dimension i ri i integrimit, Konjufca theksoi rëndësinë e integrimit gradual të Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e sigurisë evropiane, duke përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe ndërveprushmërisë me standardet e NATO-s.
Ai theksoi po ashtu se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende pjesë e Aleancës është interes strategjik për stabilitetin e gjithë rajonit dhe të Evropës.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe për avancimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” thuhet në njoftimin e MPJD-së.