“Çizmja e Serbisë mo s’ka me shkelë në këtë shtet”, Vjosa Osmani shkon në familjen e Afrim Bunjakut pas vendimit

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkuar për vizitë te familja e Afrim Bunjakut pas vendimit që mori sot Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin terrorist në Banjskë ku dënoi me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, ndërsa të tretit i dha 30 vjet burgim.
Osmani në familjen Bunjaku tha se Kosova gjithmonë ka pasë djem si Afrim Bunjaku që i kanë dalë zot, ndërsa tha se territori i vendit duhet të ruhet.
“Sakrifica për këtë vend nuk ka mbaruar ende edhe mas shumë e shumë vitesh që ne u çliruam, prapë se prapë këtë liri po duhet më ruajt, territorin tonë po duhet me ruajt, shtetin tonë po duhet me ruajt, e lum Kosova që ka e ka pasë djem si Afrim Bunjaku që i kanë dalë zot gjithmonë dhe është gjaku i tij, sakrifica e tij dhe e juaj si familje”.
“Fatkeqësisht e kemi një kojshi që me shekuj na ka nxjerrë problem”, vazhdoi Osmani, duke iu drejtuar të pranishmeve.

Lexo edheOVL-UÇK: Ligji për vlerat e luftës të mos mbetet simbolik, kërkohet përmbajtje dhe zbatim i plotë
“E ata qaty kanë me met, po ka knej s’kanë me mujt me hi kurrë. Që thojnë çizmja e Serbisë më s’ka me shkelë në këtë shtet. Qoftë sakrifica e Afrim Bunjakut e fundit, me shpresën që tash e tutje çdo ditë kemi me shku tu u forcu si shtet”.
Osmani tha se drejtësia ende s’është e plotë me dënimin e tre pjesëmarrësve të sulmit terrorist.
“Duhet Radoiçiqi me u dorëzu në Kosovë dhe me marrë dënimin e merituar dhe shumë kriminelë të tjerë që kanë vepruar bashkë me të nën urdhrin e Vuçiqit se ai është dhe mbetet kryesori. Ai e ka dhënë urdhrin, e dimë të gjithë”./Express/














