“Çdo ditë gati për Kombëtaren A”, Hekuran Berisha po shkëlqen: I kënaqur me paraqitjet, por s’duhet ndalur!

Sulmuesi i Kosovës U21 dhe Dinamo City, Hekuran Berisha, ka folur për Indeksonline.net për formën e tij, paraqitjet e fundit të përfaqësueses U21 dhe synimet për të ardhmen.
Kosova U21 ka marrë rezultate pozitive në ndeshjet e fundit, me dy fitore dhe një barazim. Berisha është shprehur i kënaqur me paraqitjet e ekipit.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e fundit. Kemi marrë rezultate të mira dhe, më e rëndësishmja, është që si ekip kemi treguar karakter dhe kemi punuar mirë”, u shpreh Berisha
Berisha foli edhe për ndryshimet me Hekuran Kryeziun në krye të Kosovës U21, duke theksuar se filozofia e ekipit nuk ka ndryshuar në mënyrë drastike.

“Çdo trajner që vjen sjell një frymë të re, por nuk është se kemi ndryshuar filozofinë aq shumë nga trajneri Afrim Tovërlani”, vazhdoi tutje lojtari kosovar
Një prej objektivave të sulmuesit është edhe kalimi te Kombëtarja A e Kosovës.

Lexo edheE FUNDIT! Merret vendimi për Granit Xhakën në Zvicër

“Sigurisht që është një objektiv i imi. Ndihem çdo ditë më i gatshëm, por besoj se momenti i duhur vjen me punë dhe me paraqitje të mira”, thotë lojtari i Dinamos për Indeksonline.net
Ndërkohë, te Dinamo City, 21-vjeçari synon një sezon sa më të suksesshëm dhe zhvillim të vazhdueshëm personal.

“Synimi është të bëjmë një sezon sa më të mirë bashkë dhe të luftojmë për objektivat e klubit. Personalish, dua të vazhdoj të përmirësohem dhe ta ndihmoj ekipin me paraqitjet e mia”, përfundoi Berisha
Hekuran Berisha gjatë dy ndeshjeve me Kosovën shënoi një gol dhe bëri një asist. Kurse te skuadra shqiptare në Superiore ai ka zhvilluar katër ndeshje, ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asist./Indeksonline/Granit Tërstena/














