Përveç biznesmenit Rrahim Pacolli që deri të martën ishte konsulli i nderit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, edhe biznesmeni i fuqishëm pejan Blerim Devolli, pronarë i një perandorie biznesore mban të njëjtin titull.
Derisa për Pacollin kryediplomati Gent Cakaj ka vlerësuar se nuk i bënë nder Shqipërisë dhe e ka shkarkuar nga pozita, Devolli vazhdon të nderohet dhe të gëzoj privilegjet diplomatike që i ofron posti i konsullit të nderit.
Me këtë post i takojnë targa diplomatike të Shqipërisë dhe ka mundësinë që të kalojë kufirin, pa u kontrolluar nga autoritetet shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.
Në bazë të të dhënave që ka gjetur gazeta inFokus, në faqen zyrtare ku janë listuar të gjithë konsujt e nderi të Shqipërisë nëpër botë, Devolli figuron si konsull nderi në Komunën e Pejës me zyrën e konsullatës së nderit në Pejë.
Konsulli i Nderit është një funksionar konsullor nderi dhe si rrjedhim është pjesë e shërbimit konsullor të Republikës së Shqipërisë. Emërimi i tyre bëhet me urdhër të Ministrit të Punëve të Jashtme.
“Konsulli i Nderit është përfaqësues zyrtar i një shteti në territorin e një shteti tjetër, që vepron për të ndihmuar dhe mbrojtur qytetarët e vendit dërgues dhe për të lehtësuar shkëmbimet në fusha si ekonomia dhe kultura”, thuhen në shpjegimin zyrtar për pozitën që mban Blerim Devolli.
Ky i fundit përgjatë viteve ka pritur e përcjellë zyrtarë të lartë shtetëror e ambasadorë me ndikim, në perandorinë e tij biznesore.
Ai vetëm në një aheng familjar në tetor të 2013-ës ka mbledhur gati gjysmën e krerëve të PDK-së. Aty ishin Hajredin Kuçi, Besim Beqaj, Adem Grabovci dhe Ramush Haradinaj i AAK-së.