Çmimet e naftës ranë të hënën, ndërsa investitorët po monitorojnë bisedimet për t’iI dhënë fund luftës në Ukrainë dhe janë në pritje të lehtësimit të politikës monetare nga rezerva federale. Kontratat e ardhshme të naftës brent ranë me 0.9% duke zbritur në 63.1 dollarë për një fuçi këtë fillim jave.
Analistë të tregut thonë se nëse arrihet një marrëveshje e afërt për Ukrainën, atëherë eksportet ruse të naftës duhet të rriten dhe të ushtrojnë presion mbi çmimet e naftës.
Ndërkohë, tregjet po parashikojnë një shans prej 84% për një ulje me çerek pikë të normës bazë të interesit nga rezerva federale. Por, komentet e anëtarëve të bordit të Bankës amerikane tregojnë se takimi do të ketë shumë përplasje lidhur me vendimmarrjen.
Në Evropë përparimi në bisedimet e paqes në Ukrainë mbetet i ngadaltë, me mosmarrëveshjet mbi garancitë e sigurisë për Kievin dhe statusin e territorit të pushtuar nga Rusia. Zyrtarët amerikanë dhe rusë gjithashtu kanë pikëpamje të ndryshme mbi propozimin e paqes të paraqitur nga administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Ndërkohë, vendet e G7-s dhe Bashkimi Europian janë në bisedime për të vendosur kufizime të reja për eksportet e naftës ruse, parashikohet ndalim i plotë i shërbimeve detare gjë që mund të frenojë më tej furnizimin nga prodhuesi i dytë më i madh i naftës në botë.