Besian Idrizaj, talenti me prejardhje kosovare që mahniti Liverpoolin dhe u nda nga jeta vetëm 22-vjeçar

Besian Idrizaj ishte një nga talentet e futbollit me prejardhje kosovare që arriti të vishte fanellën e Liverpoolit.
Sulmuesi la gjurmë me një tregolësh në një ndeshje miqësore, por karriera e tij u ndërpre tragjikisht në moshën 22-vjeçare.Idrizaj iu bashkua Liverpoolit në vitin 2005, duke u transferuar nga klubi austriak LASK Linz.
Në atë kohë, ai konsiderohej një talent premtues dhe ëndërronte të depërtonte në ekipin e parë të gjigantit anglez.
Momenti më i veçantë i tij me fanellën e Liverpoolit erdhi më 7 korrik 2007, në ndeshjen miqësore kundër Wrexhamit. Sulmuesi shënoi tre gola brenda 26 minutave të para, duke i dhënë Liverpoolit fitoren 3:2.
Të tre golat u asistuan nga Jermaine Pennant, ndërsa paraqitja e Idrizajt ngjalli shpresat se ai mund të fitonte një vend në ekipin e parë të skuadrës së drejtuar nga Rafael Benitez.

Lexo edheAlarm në futbollin anglez, 94% e klubeve me humbje financiare
Megjithatë, pavarësisht këtij shpërthimi, Idrizaj nuk arriti të luante në një ndeshje zyrtare të ekipit të parë të Liverpoolit. Gjatë qëndrimit te klubi anglez, ai u huazua te Luton Town, Crystal Palace dhe Wacker Innsbruck.
Në vitin 2009, ai iu bashkua Swansea Cityt, ku vazhdoi karrierën në futbollin anglez.
Por historia e tij përfundoi në mënyrë tragjike. Më 15 maj 2010, Idrizaj vdiq në moshën vetëm 22-vjeçare, pas një ataku në zemër.Ai mbeti i paharruar te Swansea City, ku klubi vendosi ta tërhiqte fanellën me numrin 40 në shenjë respekti për futbollistin.
Edhe pse nuk arriti ta realizonte ëndrrën për t’u bërë pjesë e rregullt e ekipit të parë të Liverpoolit, Besian Idrizaj kujtohet për talentin e tij dhe për tregolëshin që për një moment bëri të flitej shumë për të në Angli.














