Bekim Jashari në takim me përfaqësuesit e biznesve nga Bursa e Turqisë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari, së bashku me drejtorët komunalë, kanë pritur në takim një delegacionin të gjerë të përfaqësuesve të bizneseve nga Bursa e Turqisë, të cilët kryetari Jashari i ka njoftuar me potencialin që ofron Komuna e Skenderajt, sa i përket investimeve.
“Kemi shtuar edhe më shumë përpjekjet për të kthyer ëndrrën në realitet e bashkë me të edhe shpresën e zhvillimit të komunës së Skenderajt, nëpërmjet investitorëve dhe bizneseve nga Bursa e Turqisë që një pjesë e kapitalit të tyre pritet ta investojnë në Parkun e Biznesit në Marinë.
Për të parë kushtet dhe mundësitë që ofron Komuna e Skenderajt, pasditen e së djeshme kemi prit me drejtorët e mi delegacionin e gjerë të përfaqësuesve të bizneseve nga Bursa e Turqisë, të udhëhequr nga Ömer Kumova.
Kisha kënaqësi që para miqve turq të prezantoj vizionin e Qeverisë sime, planet dhe synimet tona për Skenderajn të zhvilluar ekonomikisht, duke e ngritur Parkun e Biznesit, i cili do të ofrojë të gjitha kushtet e përshtatshme për çfarëdo lloj veprimtarie biznesore.

Lexo edhePas Skenderajt, PDK po përçahet edhe në këtë qytet
Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim rregullimin e infrastrukturës së brendshme; instalimin e sistemit energjetik, ujësjellësin, kanalizimin dhe infrastrukturën rrugore brenda parkut.
I sigurova gjithashtu se çdo investim që do të bëhet nga investitorët, do të jetë i sigurt, pa frikën e dikurshme të mitmarrjes, haraçit apo ndonjë veprimi tjetër të shëmtuar, nga kushdo që i ka në mendje këto punë të liga.
Skenderaj nuk njeh kohë më të mirë sesa tani për të investuar”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Komunës së Skenderajt, z.Bekim Jashari.














