Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se Kolonel Skender Hoxha i është bashkuar listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Hamza ka vlerësuar lartë kontributin shumëvjeçar të Hoxhës në shërbim të vendit, duke kujtuar rolin e tij si ish-komandant i Brigadës 124 të UÇK-së, ish-atashe ushtarak i Kosovës në Zagreb dhe Komandant i Gardës Kombëtare.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për njerëz me integritet, përvojë dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie”, ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se Skender Hoxha ka qenë pjesë e rrugëtimit të Kosovës nga lufta çlirimtare deri te ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të sigurisë së shtetit, ndërsa për kontributin e tij është nderuar edhe me Medaljen e Karrierës.
Në fund të mesazhit të tij, Hamza i ka uruar mirëseardhje Kolonel Hoxhës në PDK.