Klubi i basketbollit GO+ Peja ka reaguar me një letër të hapur drejtuar Shoqatës së Gjyqtarëve, pas ndeshjes së mbrëmshme ndaj KB Bashkimi, duke shprehur shqetësim të thellë për ndarjen e drejtësisë në këtë përballje.
Në reagimin e Bordit të klubit pejan theksohet se humbja pranohet si përgjegjësi sportive, por se disa vendime të arbitrave, sipas tyre, nuk mund të kalohen pa u adresuar.
Në veçanti përmendet rasti i kërkesës për rishikim (“IRS”), ku sipas klubit, gjyqtari Eldin Uglari është shprehur se kontakti “nuk ishte me qëllim”, ndërsa gjyqtari i parë, Ngadhnjim Shabani, ka marrë përsipër vendimin përfundimtar.
Pejanët ngrenë dyshime edhe për kriterin e referimit, duke theksuar dallimin e madh në gjuajtjet e lira – 24 për vendasit dhe vetëm 2 për ta – si dhe për disa vendime në minutat e fundit të ndeshjes, të cilat, sipas tyre, ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e lojës.
Rezultati përfundimtar ishte 74:68 në favor të Bashkimit.
Në letër përmenden disa situata konkrete, përfshirë raste të hapave të akorduara pa u thirrur paraprakisht faull, një episod në mes të fushës ku u refuzua kërkesa për “IRS” nga trajneri Damir Milačić, si dhe një moment ku pretendohet ndërhyrje e trajnerit të Bashkimit ndaj lojtarit Fatlind Shoshaj pa u ndëshkuar me gabim teknik.
Megjithatë, GO+ Peja ka dënuar qartë çdo formë dhune, duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Gjakovë, dhe ka theksuar se ekipi i tyre nuk ka pasur asnjë reagim të papërshtatshëm gjatë ndeshjes, pavarësisht pakënaqësive.
Në fund të reagimit, klubi i bën thirrje Federata e Basketbollit e Kosovës që të jetë vigjilente dhe të shqyrtojë me seriozitet të gjitha rastet e kontestuara, duke kërkuar masa ndaj atyre që, sipas tyre, po dëmtojnë integritetin e garës.
“Gabimet janë pjesë e lojës, por drejtësia duhet të mbetet prioritet”, thuhet mes tjerash në reagimin e Bordit të GO+ Peja, i cili kërkon profesionalizëm dhe standarde të barabarta në ndarjen e drejtësisë në Superligë./GazetaExpress/