Bajrami: “Qerrja para kalit” kësaj radhe në energji – 538 milionë euro për importe

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë në detyrë lidhur me menaxhimin e sektorit të energjisë, duke e cilësuar si “qerrja para kalit” vendimin për kompensimin e Bordit të Korporatës së Ruajtjes së Energjisë.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka rikujtuar se më 13 mars 2024, Qeveria kishte themeluar Ndërmarrjen Publike “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE”, me qëllim të menaxhimit të kapaciteteve për ruajtjen e energjisë.
Sipas saj, që nga atëherë Kosova ka importuar mbi 538 milionë euro energji elektrike.
Ajo ka paraqitur edhe shifrat sipas periudhave: 142 milionë euro gjatë vitit 2024, 259 milionë euro gjatë vitit 2025 dhe 137 milionë euro gjatë periudhës janar-gusht 2026.
“Pra, ndërmarrja për ruajtjen e energjisë u themelua, por kapacitete për ruajtjen e energjisë ende nuk kemi. Ndërkohë, importi po vazhdon e qindra miliona euro po dalin jashtë vendit”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë në detyrë për kompensimin mujor të anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrjeje.
“E mbrëmë, në një mbledhje elektronike të mbajtur natën, Qeveria në detyrë e pa urgjente të marrë vendim për kompensimin mujor të anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrjeje”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka ironizuar deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për “qerren para kalit”, duke thënë se e njëjta situatë, sipas saj, po përsëritet në sektorin e energjisë.

Lexo edheAlarm për bomba në disa institucione në Shqipëri, policia del me njoftim
“Pra, kapacitete për ruajtje të energjisë nuk ka, ndërmarrje ka, kompensime për Bordin u caktua, e importi ka arritur në 538 milionë euro”, ka shkruar Bajrami.
“Albin Kurti na ka folur shpesh për ‘qerren para kalit’. Ja fenomeni i qeverisjes së tij i qerres para kalit: ndërmarrja, bordi dhe kompensimet para kapaciteteve që do të duhej t’i menaxhonin”, ka shtuar ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së ka kërkuar hetim nga Prokuroria, duke ngritur akuza për atë që e ka quajtur “mafia energjetike”.
“Prokuroria duhet seriozisht të merret me ‘mafinë energjetike’, i shterri xhepat e një populli”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/














