Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve në Kosovë, duke kritikuar qasjen e Qeverisë dhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për stabilitet ekonomik.
Në një postim në Facebook, Bajrami i është referuar të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, sipas të cilave inflacioni në muajin mars ka arritur në 6.7 për qind.
“Derisa kryeministri i Kosovës, me ligjëratë për ekonomi po ‘lë gojëhapur’ në Londër ekonomistët me renome botërore, këtu Agjencia e Statistikave të Kosovës, që operon në Zyrën e po këtij kryeministri, ka dalë me publikim ku tregon se inflacioni në mars ka arritur në 6.7%,” ka shkruar Bajrami.
Ajo theksoi se kjo përqindje paraqet vetëm mesataren, ndërsa sipas saj realiteti për qytetarët është më i rëndë.
“Të kuptohemi drejtë: 6.7% është rritja mesatare e çmimeve në krahasim me vitin e kaluar, por realiteti është shumë më i hidhur dhe këtë e dinë qytetarët që shkojnë çdo ditë në market,” theksoi ajo.
Duke iu referuar statistikave, Bajrami listoi rritjet e ndjeshme në sektorë të ndryshëm, përfshirë shërbimet e transportit (+42.5%), biletat e fluturimeve (+38.4%), furnizimin me ujë dhe shërbimet e banimit (+31.9%), si dhe energjinë dhe karburantet (+17.4%).
Sipas saj, rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në të hyrat e shtetit.
“Mos harroni se me të njëjtën përqindje rriten edhe të hyrat e Qeverisë nga tatimi i këtyre produkteve. Kjo është kriza që qytetarët e Kosovës po e paguajnë çdo ditë,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo kritikoi mungesën e masave nga Qeveria për të përballuar situatën ekonomike.
“Po, e dimë të gjithë se një pjesë e rritjes së çmimeve vjen si rezultat i krizave globale, por a nuk jemi ne vendi i vetëm ku Qeveria nuk ndërmori asnjë masë?” shtoi ajo.
Bajrami akuzoi kryeministrin për shkëputje nga realiteti ekonomik në vend.
“Çfarë stabiliteti është ky kur rritja e çmimeve është dyshifrore dhe qytetarët detyrohen të heqin dorë nga gjërat bazike,” shtoi ajo.