Avokati i hoxhës Osman Musliu, Gamzmend Halilaj në një prononcim për “Gazeta Blic” ka konfirmuar arrestimin e hoxhës Musliu dhe ka treguar si ka ndodhur ngjarja.
Halilaj ka theksuar se gjithçka ka qenë në vetmbrojtje dhe sulmi ka qenë i paprovokuar.
Ai ka bërë të ditur se është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh por i njëjti pastaj me vendim të Prokurorit është liruar.
“Dje rreth orës 18:00 është thirrur nga Policia në intervistë dhe është ndalë pa u ba një verifikim real i ngjarjes që ka ndodhë. Ju ka caktu masat e ndalimit prej 48 orësh por sot gjatë një analize ma të detajizuar nga ana e Prokurorit që e ka shiku ngjarjen vetë ka vendosë menjëherë me i ndërpre masën e paraburgimit, ka konsideru se është krejtësisht e panevojshme. Mulla Osmani ka qenë i sulmuar dhe ka vepruar në vetmbrojtje siç parashihet me ligj, sulmi ka qenë i paprovokuar nga ana e Mulla Osmanit prandaj edhe Prokuria e ka marrë parasysh këtë dhe ka vendos me liru”.
Lajmin e kanë konfirmuar për “Gazeta Blic” edhe nga Policia e Kosovës.
“Me datë 24.11.2020 rreth orës 14:30 policia ka marrë informatën për një përleshje të ndodhur brenda një objekti në rrugën “Ilaz Kodra” – në Drenas. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para ka ngritur versionin e hetimit se një fjalosje në mes të dy të dyshuarve njëri 48 dhe tjetri 58 vjeç, ka përfunduar ne përleshje fizike mes tyre.
“Pasi që policia ka kryer veprimet fillestare hetimore përfshire këtu edhe pjesën e intervistimit, me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dy të dyshuarve u ka shqiptuar masën e arrestit policor dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, për tu proceduar më pas në përputhje me udhëzimet vijuese të prokurorisë”