Avokati Besnik Berisha ka dhënë një sqarim publik lidhur me incidentin që ndodhi sot në sheshin e Prishtinës, ku deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, u përball me fyerje dhe sulm fizik.
Berisha që është edhe avokat i Zemajt, thotë se ky i fundit nuk ka qenë në asnjë rrethanë nxitës apo agresor i situatës.
“Sqarim publik për ata që kanë interes për të vërtetën; lidhur me incidentin e ndodhur sot në sheshin e Prishtinës, ku klienti dhe miku im, deputeti Armend Zemaj, u përball me fyerje dhe sulm të rëndë, njoftoj këdo që ka interes se z. Zemaj nuk ka qenë në asnjë rrethanë nxites apo agresor i situatës. Përkundrazi, ai ka qenë viktimë e një provokimi dhe fyerjeje të rëndë, pasuar nga një sulm fizik i paprovokuar, për të cilin është dhënë deklaratë dhe zhvilluar interviste zyrtare në Polici”, tha Berisha.
Ai theksoi se ngjarja është sqaruar plotësisht dhe faktet tashmë janë të dokumentuara te hetuesit dhe për dijeni të Prokurorisë.
“Personi që në raportimet e para është paraqitur si viktimë, në realitet ka qenë sulmuesi dhe agresori i vetëm në këtë rast”, shtoi avokati.
Berisha njoftoi gjithashtu se, pavarësisht se Zemaj nuk ka pasur asnjë faj ose kontribut në incident, ai ka shprehur keqardhje për situatën.