Avdijaj pozon me fanellën e klubit të ri: Jam i lumtur që jam këtu

Pasi dje u zyrtarizua transferimi i Donis Avdijajt në Trabzonspor të Turqisë, futbollisti kosovar ka bërë të ditur se është i lumtur me klubin e tij të ri.
Vetëm më pak se 24 orë pasi u konfirmua kontrata e Donis Avdijajt me klubin turk Trabzonspor, kosovari 22-vjeçar pozoi me fanellën e klubit të tij të ri dhe e postoi atë në rrjetet e tij sociale, raporton Gazeta Express.
“Jam i lumtur që jam këtu”, shkruan Avdijaj, mbi fotografinë e tij me fanellën e Trabzonsporit dhe një fotografi të stadiumit të tij të ri.
Avdijaj ishte lojtar i lirë që nga marsi, pas shkëputjes së kontratës nga ana e Willem II, për arsye disiplinore. Por, tani ai do të vazhdojë karrierën në Turqi, ku ka nënshkruar kontratë trevjeçare me opsion për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër.

Lexo edheKF Feronikeli del me një reagim për çmimin e biletave me AC Milan
Në një intervistë të dhënë dje, sulmuesi 22-vjeçar tha se e zgjodhi Trabzonsporin për shkak se është klub që beson në futbollistët e rinj.
“Jam shumë i lumtur që kam ardhur te një klub me tifozë madhështorë si Trabzonsport ku mund të tregoj aftësitë e mia”, ishin fjalët e para Avdijajt si lojtar i Trabzonsporit.
“Erdha këtu për të kënaqur këta tifozë të çmendur. E di mirë kualitetin e madh të ekipit, gjithashtu jam në dijeni se lojtarëve të rinj u jepet mundësia të tregojnë veten këtu, prandaj kam zgjedhur Trabzonspor. Falënderoj Zotin, pastaj familjen dhe miqtë e mi”.
Avdijaj në të kaluarën ka luajtur për klube si Schalke, Sturm Graz, Roda JC dhe Willem II. Me Kosovën ai ka bërë 6 paraqitje dhe ka shënuar 2 gola. /Gazeta Express/














