Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e regjimit të vizave.
Tashmë kjo çështje ka mbetur peng i zhvillimeve të brendshme politike brenda shteteve anëtare, derisa kosovarët vazhdojnë të mbahen padrejtësisht të izoluar në Evropë.
E një debat për liberalizimin e vizave e ka nxitur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi.
Ai në llogarinë e tij në twitter ka publikuar një fotografi të modifikuar, si një i moshuar, me përshkrimin “Siç vazhdoj të them, Kosova meriton liberalizimin e vizave”, shkruan Gazeta Express.
E ndaj këtij publikimi të Selimit ka reaguar edhe një organizatë pro-evropiane austriake “PANERUOPA”, duke kritikuar politikën e Bashkimit Evropian, për faktin që kosovarët hasin në vështirësi të jashtëzakonshme për të lëvizë lirshëm nëpër Zonën Schengen.
“Është më e lehtë për një oligark jo-evropian që të ketë liri të lëvizjes nëpër Evropë, sesa një punëtorë i Kosovës. Pse? Sepse të parët (oligarkët) paguajnë 200 mijë euro për Golden Visa, ndërsa të dytët (punëtorët) duhet të presin qeveritë e shteteve anëtare të BE-së të përmbushin premtimet. Politika e shteteve të BE-së” thuhet në reagimin e PANEUOPA.
PANEUROPA është një prej lëvizjeve më të vjetra evropiane që është themeluar në Austri. Ajo është e pavarur nga politika, dhe është një organizatë që kërkon unitetin e Evropës përgjatë gjithë historisë.
Kjo organizatë nuk përkrah status-quon, duke thënë se duhet merren hapa të vërtetë për bashkim politik, ekonomik dhe kulturor të të gjithë Evropës.
I gjithë angazhimi i kësaj lëvizje është për një Evropë të bashkua pa barriera në mes.
Çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët tashmë e ka në dorë presidenca Finlandeze. Në prioritetet e prezantuara ditë më parë në Zyrën e BE-së në Prishtinë është konstatuar se çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve nuk do të jetë prioritet kryesor./GazetaExpress/