BallinaSportAtdhe Nuhiu emërohet ndihmës-trajner i Kombëtares

Atdhe Nuhiu emërohet ndihmës-trajner i Kombëtares

Në vazhdën e angazhimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në role të ndryshme në Federatën e Futbollit të Kosovës, ish-sulmuesi i njohur dardan, Atdhe Nuhiu është emëruar ndihmëstrajner i Kombëtares A.

Ky vendim i presidentit Agim Ademi vjen si pjesë e strategjisë së FFK-së për të përfshirë ish-lojtarët e Kombëtares në strukturat e ekipeve kombëtare dhe për ta përcjellë eksperiencën e tyre tek gjeneratat e reja.

Atdhe Nuhiu, i njohur për karrierën e tij të suksesshme si futbollist, tashmë ka fituar përvojë edhe si trajner tek skuadra austriake, Altach dhe pa dyshim përfshirja e tij në stafin e përzgjedhësit Franco Foda do të jetë një mundësi e mirë në zhvillimin e tij të mëtutjeshëm, por edhe ndihmesë për sukseset e reja të ekipit kombëtar.

Gjatë javës së kaluar në pozitat e ndihmëstrajnerëve të Kombëtares U21 dhe U19 u emëruan Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj, derisa Samir Ujkani prej më shumë se një viti është në pozitën e zëvendësdrejtorit të Kombëtares A.