Gjatë ditës së sotme është arrestuar një zyrtar korrektues lidhur me arratisjen që ndodhi disa ditë më herët në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut.
Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media.
Njoftimi i plotë
Pas hetimeve të zhvilluara nga Njësitë e Hetimeve Rajonale në Mitrovicë Veri dhe mbi bazën e informatave të pranuara nga inspektorët e Inspektoratit të Burgjeve, sot më datë 14.08.2025 është arrestuar një (1) zyrtar korrektues, i dyshuar për ndihmë në arratisjen e një personi nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri, më 07.08.2025.
I arrestuari është N.P., 52 vjeq. Gjatë arrestimit, të njëjtit i është sekuestruar një telefon mobil si provë materiale. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit te Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, Policia e Kosovës po vazhdon me veprime të mëtejshme operative për kapjen e personit të arratisur, i cili ende nuk është lokalizuar.
Policia apelon tek qytetarët që kushdo që ka informacione relevante të lajmërojë menjëherë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.
Detajet e personit të arratisur dhe veprat për të cilat kërkohet janë të paraqitura në dokumentin e bashkëngjitur./Indeksonline/