Analistët në Serbi: Vuçiq po përdor struktura kriminale parapolicore për të frikësuar kundërshtarët

Analistët politik serbë, kanë akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se qëndron pas krijimit të strukturave parapolicore të përbëra nga persona me precedentë kriminalë, të cilat, sipas tyre, përdoren për të frikësuar dhe sulmuar kritikët e pushtetit.
Reagimet erdhën pas sulmit fizik ndaj regjisorit dhe profesorit të Fakultetit të Arteve Dramatike, Stevan Filipoviq, i cili deklaroi se më 5 gusht u rrah nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me Partinë Përparimtare Serbe (SNS), pasi i fotografoi duke shembur një ndërtesë të mbrojtur në qendër të Beogradit.
Filipoviq tha se sulmuesit e rrëzuan përtokë, e goditën me shqelma dhe me një karrige metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe humbje të përkohshme të vetëdijes. Ndërkohë, Zyra e Parë e Prokurorit Themelor Publik në Beograd njoftoi se ka urdhëruar identifikimin e autorëve dhe mbledhjen e provave, përfshirë pamjet nga kamerat e sigurisë.
Pas incidentit, presidenti Vuçiq deklaroi se dënon çdo formë dhune dhe kërkoi që autorët të identifikohen e të mbahen përgjegjës. Megjithatë, ai shprehu dyshime mbi pretendimet e Filipoviqit për identitetin e sulmuesve, duke thënë se shpreson që ato “të mos jenë trillim politik”.
Presidenti i Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike (ANEM), Veran Matiq, i tha gazetës “Danas” se sulmet ndaj kritikëve të pushtetit nuk janë incidente të izoluara, por pjesë e një modeli të organizuar frikësimi.
Sipas tij, që nga fillimi i protestave studentore dhe qytetare është krijuar një sistem paralel sigurie pranë Presidencës, i përbërë nga persona me precedentë penalë, të cilët, sipas tij, përdoren për të penguar dokumentimin e ngjarjeve publike dhe për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve të qeverisë.
Matiq e krahasoi këtë strukturë me “falangat fashiste”, duke pretenduar se ajo vepron në të gjithë Serbinë dhe gëzon mbrojtje institucionale.

Lexo edheAksident në Topliqan të Lipjanit, ka të lënduar – policia në vend të ngjarjes
Ai argumentoi se deklaratat publike të Vuçiqit kundër dhunës janë në kundërshtim me veprimet e tij politike, duke përmendur faljen e disa aktivistëve të SNS-së të dënuar për sulme ndaj studentëve dhe mbështetjen publike për persona të përfshirë në incidente të tjera.
Edhe aktivisti qytetar Danijel Dashiq kritikoi presidentin serb, duke deklaruar se klima e pandëshkueshmërisë inkurajon dhunën politike.
Sipas tij, faljet presidenciale dhe mungesa e ndëshkimit për autorët e sulmeve krijojnë bindjen se persona të afërt me pushtetin nuk do të mbajnë përgjegjësi ligjore.
Në analizën e saj, Danas rikujton edhe raste të tjera të sulmeve ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe figurave publike, përfshirë ekipin e televizionit N1 dhe shkrimtarin Vladimir Arsenijeviq, duke ngritur shqetësime për trajtimin e këtyre rasteve nga organet e drejtësisë.














