Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ai ka marrur pjesë në konferencën ndërkombëtare të ndërmarrësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast, Kurti ka takuar tre kryeministra të shteteve të Ballkanit, kryeministrin e Bullgarisë, Bosnjë Hercegovinës dhe atë të Maqedonisë. Po ashtu përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i Vetëvendosjes, ka bërë të ditur se në këtë konferencë është takuar edhe me ish-presidentin e Kroacisë, Stjepan Mesiç, shkruan Gazeta Blic.
“Dje mora pjesë në konferencën ndërkombëtare të ndërmarrësve që u mbajt në Sarajevë. Përveç biznesmenëve të suksesshëm të rajonit, aty morën pjesë edhe shumë politikanë të shquar përfshirë këtu kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, atë të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic, të Maqedonisë, Zoran Zaev, pastaj ish presidenti i ish Jugosllavisë dhe Kroacisë, Stjepan Mesic etj. Ishte kjo një mundësi e mirë për të zhvilluar takime të ndara dhe për të diskutuar për problemet e veçanta e të përbashkëta të shteteve të rajonit të Ballkanit, për zhvillimin e bashkëpunimin ekonomik, për integrimet euro-atlantike etj”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, në këtë konferencë janë ndarë shpërblime, dy nga të cilat kanë shkuar për kompanitë kosovare.
“Në fund të konferencës u mbajt një ceremoni solemne ku u ndanë shpërblime të shumta për cilësi evropiane dhe menaxhim të suksesshëm për vendet e rajonit, e në mesin e tyre fitues u shpallën dy kompani nga Kosova, “Eurometal” nga Ferizaj dhe Pestova (Vipa Çips) nga Vushtrria, si dhe Oda Ekonomike e Kosovës”, ka përfunduar shkrimi i Kurtit.