Alarmojnë banorët e Kolovicës: Mbeturinat nuk janë grumbulluar prej katër javësh

Banorët e lagjes Kolovica në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin për mosgrumbullimin e mbeturinave në rrugët “Jan Kukuzeli” dhe “Ibrahim Temo”, duke thënë se situata është bërë shqetësuese dhe paraqet rrezik për shëndetin publik.
Sipas ankesës së dërguar nga banorët në adresën e IndeksOnline, kanë kaluar tashmë katër javë pa u larguar mbeturinat, çka ka bërë që të krijohen grumbuj të mëdhenj mbetjesh që përhapin erë të rëndë dhe ndotin mjedisin.

Ata theksojnë se, për shkak të temperaturave të larta të verës, situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi është shtuar rreziku nga insektet dhe ndotja, duke e bërë gjendjen të papranueshme për banorët e zonës.

Lexo edheKosova shpall “non grata” drejtorin e Telekomit të Serbisë
Banorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse dhe kompanisë së kontraktuar për grumbullimin e mbeturinave që të ndërhyjnë sa më parë për pastrimin e zonës dhe të sigurojnë një shërbim të rregullt për këtë lagje.
Ata shpresojnë që përmes publikimit të ankesës së tyre, zëri i banorëve të dëgjohet dhe të merren masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi.















