Aksioni në Vermicë: Shqipëria arreston 17 policë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Shqipërisë (SPAK) ka bërë të ditur detaje nga operacioni i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në pikën kufitare të Morinës, mëngjesin e së premtes.
Sipas Prokurorisë, janë arrestuar 17 punonjës policie, 14 shtetas dhe punonjës policie janë vënë nën arrest shtëpiak dhe 3 punonjës të tjerë janë pezulluar nga detyra.
Në njoftimin për mediat, SPAK-u deklaron se procedimi penal për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka filluar mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, mbi dyshime për përfshirjen e disa prej punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë në veprimtari të paligjshme për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabandës me mallra, për të cilat paguhet akcizë”, si dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Lexo edhe25 policë të arrestuar deri tani në aksionin në Vërmicë
“Gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës. Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundërligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.














