Aksidenti në autostradën “Arbër Xhaferi”, i vdekuri ishte punëtor i Bechtel Enkas
Personi që është aksidentuar dje për vdekje në autostradën “Arbën Xhaferi” është punëtor i Bechtel Enkas, raporton Gazeta Express
Një aksident trafiku që ka ndodhur pasditen e së martës në autostradën “Arbër Xhaferi”, ka qenë fatal për 48-vjeçarin H.S. nga Prizreni. Ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga goditja e njërit prej tri automjeteve të cilat janë aksidentuar.
Një koleg i të ndjerit ka thënë për Gazetën Express se në momentin kritik viktima ka qenë duke e kryer punën e tij.
“Një shofer i ka goditur punëtorët të cilët ishin duke u përkujdesur për vënien e shenjave të trafikut”, ka thënë ai.
E lëndime të rënda trupore ka pësuar edhe një punëtor tjetër i Bechtel Enkas i cili është i shtrirë në QKUK. E. N, po ashtu nga Prizreni, ka marrë lëndime trupore në shtyllën kurrizore, mëson Express.
Lexo edheKurti pas takimit me Mustafën: U pajtuam që të përgatitemi për rrëzimin e Qeverisë
Se një punëtor ka vdekur dhe një tjetër është lënduar dhe gjendet në QKUK për trajtim mjekësor e ka konfirmuar për Express edhe Bechtel Enka.
“Mund të ua konfirmoj se një punëtor i Bechtel Enkas ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar”, ka thënë Ela Ruci, Zëdhënëse e Bechtelit.
Ndërkaq për aksidentin në fjalë ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, por duke mos bërë të ditur se i ndjeri ka qenë punëtor i Bechtel Enkas.
“Autostrada ‘Arbër Xhaferi’ 17.05.2019-16:05. Është raportuar për një aksident trafiku në mes dy veturave dhe një kamionetë me targa vendore. Përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe tre persona tjerë meshkuj K/Shqiptarë. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, mirëpo pas pak njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë dërgohet për obduksion, ndërsa i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë./GazetaExpress














