Për ndarjen nga VV-ja, deputetja Aida Dërguti ka thënë se problemi në këtë parti kishte nisur një vit e gjysmë para publikimit të mesazhit ku ajo fyente kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti.
Për publikimin e mesazhit ka thënë se “VV-ja është mobilizuar dhe ishte bërë gati për të viktimizuar Kurtin”. Ajo ka thënë se ka marrë shumë ofendime nga aktivistë të Vetëvendosjes, por ka shtuar se gjithçka do të merret vesh “kur t’i vijë koha”.
“Gjithçka ka nisur një vit e gjysmë më herët. E dinë të gjithë në VV. Mesazhi im doli në pikën e vlimit kur gjithçka po shkaktohej. S’ishte vendimtare për ndarje. E vërteta mund të ftohet në një debat publik mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqajt. Ka qenë fjalë e pamatur që e kam thënë në kulmin e zemërimit”, ka thënë ajo.
Aida Dërguti, deputete e PSD-së, ka thënë se me mënyrën se si po funksionon opozita në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të rrëzohet qeveria.
Ajo ka kritikuar dy partitë tjera opozitare, LDK-në dhe Vetëvendosjen, për “injorimin” ndaj PSD-së. Sipas saj, po të vazhdohet me këtë injorim, nuk mund të bëhet asgjë për rrëzimin e qeverisë. Në Interaktiv të KTV-së, Dërguti ka thënë se opozita mund të bëjë shumë më shumë në Kuvend, duke marrë parasysh se i ka 58 ulëse.
“Nuk janë domosdoshmërish numrat, por strategjia dhe sinqeriteti se ku duam të shkojmë e rezultati që duam të arrijmë. Deri tash s’kemi pasur ftesë për t’u ulur. Mendoj se i takon LDK-së siç e kemi pasur ne në mandatin e shkuar. Si Vetëvendosje (ish-partia e Dërgutit) i kemi bashkërenduar veprimet si opozitë duke i trajtuar edhe tjerat si partnerë të barabarta. Ishim opozita më e fuqishme ndonjëherë. Duhej të ishim më të fuqishëm tash me numrat që kemi, po të ishte bashkëpunimi i duhur. LDK-ja duhet t’i prijë opozitës e të bëjë strategji për aktivitetet. Pa diskutim s’mund të bashkohemi. Neve na akuzuan edhe se po e mbështesim qeverinë e ne ua dorëzuam gjitha nënshkrimet për ta rrëzuar qeverinë. Vazhdojeni këtë proces nëse po konsideroheni partia më e madhe. Nuk është mirë të kesh bashkëpunim e të tregosh kush është i pari, i dyti e i treti. Nëse dëshiron ta rrëzosh qeverinë duhet lënë inatet e të bashkëpunohet. Qëllimi i opozitës është që të rrëzohet qeveria. Këtë duhet ta bëjmë bashkërisht jo duke injoruar një subjekt me 12 ulëse në Kuvend e të kërkosh vetëm shërbim prej tyre. Le të na thirrin e të bëjmë strategji”, ka deklaruar Dërguti.