Studentët e dëshpëruar që nuk po gjejnë punë në Republikë të Kosovës, ata me cdo kusht po mundohen të dalin jashtë kufijve që të punojnë. E këtë gjë po ua mundësojnë agjencitë e ndryshme, të cilat shpesh herë edhe po i keqpërdorin të hollat e tyre. T7 sjell rrëfimin e tre studentëve të cilët kanë punuar gjatë sezonit veror jashtë Kosovës.
Agjencitë e punësimit sezonal përfitojnë nga studentët. Për T7 rrëfehen të rinjtë.
Me siguri të gjithë e njihni ndonjë student që ka lënë vendin dhe ka shkuar për të punuar tre muaj të verës diku jashtë Kosovës.
Punësimi sezonal në vendet e Evropës ose Amerikë, konsiderohet një prej mundësive të mira nga studentët kosovarë gjatë kohës së pushimit veror.
Drin Hajredini, student në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ka zgjedhur Gjermaninë, si destinacion për punë verën e kaluar. Prej qershorit, Drini sërish ia mësynë Gjermanisë, por me disa ndryshime në aplikim.
Për dallim nga Drini, kolegia e tij, Xheneta Hasani ka përzgjedhur të realizojë ëndrrën amerikane.
Vitin e kaluar e prapë këtë verë ajo do të qëndrojë në Amerikë për 3 muaj.
Përfitimet materiale, njohja me kultura e vende të reja, kostoja mesatarisht e ulët e aplikimit, janë përparësitë që ka puna verore jashtë Kosovës.
Studentja tjetër e UP-së, Fatjona Shala do të shkojë për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pritjet e saj pritet t’i përmbushë Amerika.
Por, shpenzimet që zakonisht i paguajnë familjet e këtyre studentëve ndonjëherë edhe keqpërdoren.
Procedurat e aplikimit, Drinit i kanë kushtuar shumëfish më pak sivjet. Ai nuk është marrë fare me agjencitë e ndryshme.
Agjenci të shumta që ndërmjetësojnë për punësime sezonale funksionojnë në vend. Kjo lehtazi dëshmohet me një kërkim në Facebook.
Disa prej tyre, të kontaktuara nga Televizioni 7, kanë refuzuar të prononcohen.
E një përfaqësues i një agjencioni, ka folur në kushte anonimiteti për televizionin, me arsyetimin se nuk dëshiron të bëhet “shumë i njofshëm”.
Ai ka folur vetëm për shifrat e të interesuarve për punësim sezonal.
Sipas të dhënave të siguruara nga T7, numri i vajzave që aplikojnë, tejkalon meshkujt.