Kryetari i Komunës së Mitrovicës,Agim Bahtiri ka reaguar pas deklaratave të djeshme të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kinse i pari i Mitrovicës ka nënshkruar marrëvshje për murin që ndan qytetin.
Bahtiri i ka thënë Gazetës Blic se ai kurrë në jetën e tij nuk e ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për murin. “Nëse del që unë kam nënshkruar ndonjë marrëveshje për murin jo që jap dorëheqje, por largohem përfundimisht nga Kosova”, tha ai. Sipas tij, PDK qëllimisht po e sulmon atë, derisa shton se ai asnjëherë për këtë çështje nuk ka pasur ndonjë takim me Rakiqin. “Takimet i kemi zhvilluar me komplet delegacionin e Kosovës. Unë për këtë çështje asnjëherë nuk e kam takuar Rakiqin”, tha ai për Gazetën Blic.
Ai shton se është koha e fundit që të ulen flamujt partiak dhe të ketë një bashkim të të gjitha forcave për këtë çështje. Në seancën e djeshme të thirrur nga AAK për murin në veri, i pari i PDK-së Kadri Veseli ka akuzuar rëndë Bahtirib, duke thënë se ai ka bërë marrëveshje për këtë çështje. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edje kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli i cili tha se përgjegjësinë për murin e ka Qeveria e Kosovës. Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot ka akuzuar Qeverinë për lejimin e ndërtimit të murit, pas një takimi që ka pasur me kreun e Mitrovicës, Agim Bahtirin.