Pasi nuk votuan Ligjin për Specialen reagon LDK: Ne nuk shantazhohemi e kërcënohemi pse kërkojmë drejtësi për viktimat- ndalni linçimet

Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar në lidhje me mos-votimin e Ligji për Specialen enë lexim të parë, si dhe vendosjen e emrave të tyre bashkë me ata të Listës Serbe në një aktivitet nga aktivistët e PDK-së, jashtë institucioneve.
Nga LDK-ja u tha se vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik.
Sipas LDK-,së mesazhi i tyre është i qartë se LDK-ja nuk shantazhohet.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla.Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë”,thuhet në reagim.
“Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi”, thuhet tutje.

Lexo edheDeputetët mbeten të bllokuar në Kuvend, policia shton masat
LDK njëashtu tha se “Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”.
Në reagim u theksua se LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë.”/Lajmi.net/












