Adem Mikullovci cakton edhe një seancë
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se për të hënën në ora 10:00 është thirrur vazhdimi i seancës konstituive.
Seanca është thirrur nga kryesuesi Adem Mikullovci i VV’së, si deputeti më i vjetër nga mosha i Kuvendit, dhe ka vetëm një pik të rendit të ditës, atë të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe të nënkryetarëve.
Koalicioni fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-AAK-NISMA, të cilët edhe u takon propozimi i kryeparlamentarit kanë paralajmëruar se do ta bojkotojnë edhe këtë seancë, sikurse atë të 10 gushtit.
Kjo pasi PAN ka kërkuar edhe një takim konsultativ me përfaqësuesit e partive politike, për të mërkurën, e më pas të hapet mundësia për thirrjen e seancës të enjten ose të premten e javës që vjen. Kërkesën e kishte bërë Pal Lekaj i AAK’së, të mërkurën, në një takim po ashtu konsultativ, një ditë para seancës së 10 gushtit që dështoi të mbahej në mungesë të deputetëve të PAN’it dhe atyre të minoriteteve, në sallë.

Lexo edheBulevardi i ri në Beograd emërohet “Heronjtë e Koshares”
Megjithatë, Adem Mikullovci, siç kishte paralajmëruar ka caktuar seancën për të hënën, derisa PAN ka njoftuar serish për bojkot të saj.
PAN ka propozuar kreun e PDK’së Kadri Veseli për kryetar të Kuvendit, por që koalicioni LAA dhe VV refuzojnë ta votojnë atë. /GazetaExpress/.














