A shkarkohet Foda nëse Kosova nuk mbetet në Ligën B të Ligës së Kombeve? Përgjigjet Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka folur për të ardhmen e përzgjedhësit të Kosovës, Franco Foda, duke theksuar se rezultati është ai që përcakton qëndrueshmërinë e çdo trajneri në detyrë.
Ademi ka thënë se Foda-s, sikurse çdo trajneri tjetër, i janë krijuar kushtet e nevojshme për punë, por ka nënvizuar se pritshmëritë ndaj përfaqësueses së Kosovës janë më të mëdha.
“Çdo të trajner e mban rezultati. Kushtet ia kemi bërë secilit trajner, edhe Foda-s, edhe rezultatin e kërkojmë, jo me çdo kusht, por, kur të plotësohen të gjitha kushtet, kërkojmë edhe pak më shumë. Unë nuk besoj që do të vijmë deri atje, por nëse vijmë deri atje, shohim pastaj”, tha Ademi.
Deklarata e kreut të FFK-së vjen në një periudhë të rëndësishme për Kosovën, e cila po garon në Ligën B të Ligës së Kombeve, në Grupin B3, përballë Austrisë, Izraelit dhe Republikës së Irlandës.

Lexo edheBarcelona goditet para dy ndeshjeve vendimtare të sezonit
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova ka grumbulluar pesë pikë. “Dardanët” e nisën këtë edicion me fitore 1:0 ndaj Irlandës, pësuan humbje 3:1 nga Austria, barazuan pa gola me Izraelin dhe më pas luajtën 1:1 me Austrinë në Prishtinë.
Kosova renditet në pozitën e dytë në grup, pas Austrisë, ndërsa në dy ndeshjet e fundit do të kërkojë të sigurojë një përfundim sa më të mirë të edicionit. Më 14 nëntor, Kosova e pret Izraelin në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë, më 17 nëntor, përballet me Republikën e Irlandës në udhëtim.














