31 të lënduar nga protesta e djeshme në Tiranë, 21 prej tyre policë

31 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë, si pasojë e përplasjeve gjatë protestës së djeshme (18 tetor), prej të cilëve 21 janë efektivë të policisë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, në mesin e të lënduarve janë 21 efektivë policie, pesë protestues, katër kalimtarë të rastit dhe një përfaqësuese e mediave, transmeton ATSH.
Në përditësimin e fundit, të publikuar sot (19 tetor), në orën 11:30, Ministria ka bërë të ditur se në Spitalin Universitar të Traumës ndodhen edhe dy protestues, të cilët po u nënshtrohen ekzaminimeve dhe konsultave të mëtejshme mjekësore.
Ndërkohë, që nga 13 tetori, numri i personave të shtruar në spital dhe që vijojnë të marrin trajtim mjekësor ka arritur në 14. Prej tyre, pesë janë efektivë policie, katër protestues, katër kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias.
Ministria ka njoftuar se gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.

Lexo edheBajrami: Nuk zhvillohet ekonomia duke e ndëshkuar punëtorin e duke e dekurajuar prodhimin
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar, përkatësisht dy efektivë policie dhe tre protestues.
Të lënduarit janë regjistruar pas përplasjeve gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytetin shqiptar.












