76-vjeçari, i cili një natë më parë vrau me thikë vëllanë e tij në Kavajë, është vënë në pranga nga policia e Durrësit.
Muhamet Rreshka, 76 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë për vdekje vëllain e tij, Eqerem Rreshka, 74 vjeç.
Policia bën me dije se është sekuestruar edhe thika e përdorur në krim.
Gjithashtu, policia bën me dije se është arrestuar dhe një person tjetër për plagosje po me thikë.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas të dyshuar si autorë të 2 ngjarjeve (vrasje dhe plagosje) të ndodhura mbrëmjen e djeshme, në Durrës dhe në Kavajë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të Policisë Durrës dhe Kavajë, kapën dhe vunë në pranga shtetasit:
-D. L., 32 vjeç, banues në fshatin Sukth, Durrës, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në këtë fshat, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasit Xh. L., 60 vjeç, B. L., 34 vjeç (babë e bir) dhe F. T., 28 vjeç, të tre banues në të njëjtin fshat. 3 shtetasit e dëmtuar po marrin ndihmë mjekësore në spital;
-M. Rr., 76 vjeç, pasi dyshohet se mbrëmjen e dejshme, në fshatin Agonas, Kavajë, ka vrarë me mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, vëllanë e tij, shtetasin E. Rr., 74 vjeç.
2 mjetet prerëse (thika) që dyshohet se janë përdorur nga autorët e dyshuar për këto krime, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Për të dyja rastet, grupet hetimore vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve dhe sigurimin e provave ligjore për dokumentimin e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.