FC Ballkani ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit anësor Lorik Dobratiqi, i cili është përforcimi i dytë i skuadrës gjatë këtij afati kalimtar veror.
Klubi nga Suhareka ka bërë të ditur se Dobratiqi ka nënshkruar kontratë trevjeçare dhe do të jetë pjesë e kampionëve kosovarë deri në verën e vitit 2029, shkruan Indeksonline
Futbollisti, i cili aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të sulmit, pritet të sjellë më shumë konkurrencë dhe cilësi në repartin ofensiv të ekipit, teksa Ballkani vazhdon përgatitjet për sfidat e sezonit të ri.
Me afrimin e Dobratiqit, drejtuesit e klubit synojnë të forcojnë edhe më tej skuadrën në garën për trofe vendorë dhe paraqitje sa më të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
“Mirë se vjen në familjen e madhe të FC Ballkanit, Lorik”, thuhet në njoftimin e klubit./Indeksonline/