HomeSportMbyllet me sukses Liga Universitare, rritet pjesëmarrja e vajzave dhe masivizimi i...

Mbyllet me sukses Liga Universitare, rritet pjesëmarrja e vajzave dhe masivizimi i sportit

Të ngjajshme

Mbyllja e Ligës Universitare të Sporteve ka sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme, duke kurorëzuar javë të tëra garash intensive në gjashtë disiplina të ndryshme. Ceremonia përmbyllëse u shënua nga suksese të papritura, ku spikati jo vetëm masivizimi i jashtëzakonshëm i sportit mes të rinjve, por edhe integrimi i disiplinave të reja si padeli, që ka zgjuar një interes të madh te pjesëmarrësit.

Presidenti i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës, Musa Selimi, vlerësoi lart sakrificën, mundin dhe karakterin e kampionëve të rinj. U theksua se kjo gjeneratë studentësh mbart një potencial të madh jo vetëm për të ngritur standardin e garave vendore, por edhe për të përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.

“Sot jemi në ditën e përmbylljes së kampionëve tanë, të cilët nuk kanë lindur kampionë, por janë ndërtuar me shumë sakrificë, me shumë mund, me shumë djersë. Kanë ndërtuar edhe karakter, që do t’ju shërbejë përpara edhe në jetë, jo vetëm në sport. Dhe mbi të gjitha disiplina e treguar gjatë këtyre muajve na dëshmon që studentët tanë vërtet kanë vlera të larta, të cilët ne duhet t’i vlerësojmë dhe duhet t’i çmojmë. Dhe kjo nuk është rastësisht, sepse këta frymëzojnë edhe gjeneratat e reja, edhe ata sportistë të cilët sot nuk janë në mesin tonë, edhe ata të cilët pretendojnë vitin e ardhshëm të na bashkëngjiten në ligat universitare”, theksoi Selimi

Ndërkohë, përfaqësuesi i Ministrisë për Rini dhe Sport, Fikret Shatri, garantoi mbështetje të vazhdueshme institucionale, duke e konsideruar aktivitetin fizik si një mjet të fuqishëm e thelbësor për një jetë të shëndetshme dhe përballimin e sfidave jetësore.

“Normalisht që mbetet prej të gjitha instancave që këto gara të jenë edhe më masovike. Ka hapësirë, ka hapësirë normalisht që ne jemi të zotuar që të fokusohemi si institucion në masivitet, sepse ashtu siç e përfundove fjalën tënde, jeta e shëndetshme është vetëm atëherë kur merremi me lëvizje, merremi me aktivitet fizik. Aktiviteti fizik është mburojë e jashtëzakonshme për t’i përballuar sfidat, për t’i përballuar të gjitha ato që na vijnë, jeta që na godet”, deklaroi Shatri.

Një vëmendje e veçantë gjatë këtij edicioni iu kushtua rritjes së pjesëmarrjes së vajzave në sport, një tendencë pozitive që po thyen barrierat gjinore në disiplina të ndryshme. Studentja dhe sportistja e dalluar Melirona Avdullahu shprehu mirënjohje të thellë për mundësitë e ofruara, duke e cilësuar sportin universitar si urën më të mirë lidhëse për të rinjtë dhe një platformë ideale për të treguar talentin dhe krijuar miqësi të reja.

“Në këtë organizim, jo vetëm kemi garuar, por kemi krijuar miqësi, kemi treguar potencialin tonë. Po gjithashtu, shpresoj që të kemi përfaqësuar universitetin tonë sa më denjësisht”, tha ajo.

Ngjarja e madhe u përmbyll me ndarjen e çmimeve të merituara për fituesit, duke nisur me triumfuesit e basketbollit 3×3 si dhe sportet tjera si padel, shah, futsal, pingpong dhe beach volejboll.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz