Prokuroria Themelore në Prizren njofton opinionin publik se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehuri për kryerjen e veprës penale “Fajdeja”, ndërsa një person tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale gjendet në arrati dhe është në kërkim nga organet kompetente.
Sipas dyshimeve të bazuara që rezultojnë nga hetimet e deritanishme, personat e dyshuar kanë vepruar në bashkëkryerje duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, me ç’rast kanë kontraktuar dhe përfituar shuma dukshëm joproporcionale në raport me huanë e dhënë.
Nga hetimet e zhvilluara, rezulton se në shtator të vitit 2021 është lidhur një marrëveshje huazimi në shumën prej 50,000 euro, me kushte të rënda financiare për të dëmtuarin, duke përfshirë kamata mujore dhe përfitime të konsiderueshme pasurore në favor të të pandehurve. Më pas, përmes kërkesave të vazhdueshme për pagesë dhe presionit të ushtruar ndaj familjarëve të të dëmtuarit, është kërkuar kthimi i shumave shumëfish më të larta se huaja fillestare.
Sipas hetimeve, të dëmtuarit dyshohet se kanë paguar gjithsej rreth 150,000 euro pa llogaritur borxhin bazë.
Po ashtu, Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një personi tjetër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Manipulimi me prova”, për shkak të dyshimeve se ka ndërmarrë veprime me qëllim të pengimit ose vështirësimit të procedurës penale dhe administrimit të drejtë të provave.
Prokurori i Shtetit, duke vlerësuar rrethanat e rastit, peshën e veprave penale, rrezikun e ndikimit në dëshmitarë, mundësinë e pengimit të procedurës penale si dhe rrezikun e ikjes, ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të arrestuar.
Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë juridike dhe ekonomike të qytetarëve dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe do të jetë e përkushtuar në luftën kundër fajdeve.