Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë prezantimit të parkut të parë industrial të gjelbër në Kosovë, tha se ideja kryesore është krijimi i kushteve më të mira për bizneset. Ai theksoi se synimi është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtohen 14 parqe industriale në gjithë vendin.
“Idetë kryesore janë të krijojmë kushte më të mira për bizneset, të ulim kostot operative, të reduktojmë ndikimin negativ në mjedis, të rrisim punësimin dhe të përmirësojmë mirëqenien e qytetarëve”, tha ai.
Tutje, Kurti bëri të ditur se, krahas planeve për investime në infrastrukturën bazike – si rrugë, hekurudha dhe rritje të kapaciteteve energjetike – është zhvilluar edhe një vizion i ri për parqet industriale.
“Plani ynë është që gjatë katër viteve të ardhshme të ndërtojmë 14 parqe industriale në gjithë Kosovën, me një investim prej 30 milionë eurosh”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se Mitrovica, Gjilani, Lipjani, Drenasi, Rahoveci dhe Podujeva janë disa nga komunat ku do të zhvillohen këto parqe, duke theksuar se në këtë vizion përfshihet edhe Gjakova.
“Në Gjakovë tashmë kanë nisur themelet e zonës industriale ushtarake, ku investitorë seriozë do të prodhojnë armë, dronë dhe municion ‘Made in Kosova’”, tha ai.
Po ashtu, Kurti u shpreh i kënaqur që ndodhej në Gjakovë, të cilën e cilësoi si qytet me traditë të fortë në ndërmarrësi dhe prodhim.
“Gjakova është një qytet ku puna është kulturë”, theksoi ai, duke shtuar se sektori privat mbetet lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Kosovës.