Gjyqi i shumëpërfolur mes dy figurave të mëdha të teknologjisë, Elon Musk dhe Sam Altman, ka nxjerrë në pah tensionet dhe prapaskenat e ngritjes së kompanisë OpenAI, ndërsa procesi gjyqësor ka hyrë këtë javë në fazën e tretë
Sipas raportimeve të The Guardian, avokatët e Musk kanë përdorur dëshmi nga ish-drejtues të kompanisë, mesazhe private, shënime dhe email-e të brendshme për ta portretizuar Altmanin si një udhëheqës të pabesueshëm dhe të paqëndrueshëm në vendimmarrje.
Në qendër të kësaj jave ishte dëshmia me video e Mira Muratit, ish-drejtoreshës së teknologjisë në OpenAI, e cila u largua nga kompania në vitin 2024. Murati, e cila dikur konsiderohej një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Altmanit, deklaroi në gjykatë se ai kishte krijuar “kaos” brenda kompanisë dhe kishte një mënyrë komunikimi të dyfishtë.
Sipas saj, Altman kishte një model sjelljeje ku “i thoshte një gjë një personi dhe krejt të kundërtën një tjetri”, duke shkaktuar pasiguri dhe tensione në menaxhim.
Gjykata shqyrtoi gjithashtu mesazhe tekstuale të vitit 2023, të dërguara nga Altman drejt Muratit gjatë periudhës kur bordi i OpenAI e kishte shkarkuar përkohësisht nga pozita e CEO-s, duke e akuzuar për mungesë transparence. Në ato mesazhe, Altman i kërkonte Muratit informacion për vendimin e bordit dhe për fatin e tij në kompani.
“A mund të tregosh në mënyrë të përgjithshme nëse është mirë apo keq?” i kishte shkruar Altman, ndërsa Murati i ishte përgjigjur: “Në përgjithësi, shumë keq.”
Dëshmia e Muratit ishte vetëm njëra nga disa deklarata që kanë ngritur dyshime për stilin e udhëheqjes së Altmanit. Ish-anëtarja e bordit, Helen Toner, deklaroi se ekzistonte “një model shqetësues lidhur me ndershmërinë dhe sinqeritetin e tij”, ndërsa ish-anëtarja tjetër, Natasha McCauley, pretendoi se Altman kishte shkaktuar “kriza të përsëritura” në kompani.
Në seancat e fundit është thirrur për të dëshmuar edhe bashkëthemeluesi i OpenAI dhe ish-shefi shkencor, Ilya Sutskever, i cili ka deklaruar se kishte pasur shqetësime serioze për mënyrën se si Altman e drejtonte kompaninë dhe për vërtetësinë e tij.
Ndërkohë, Altman i mohon akuzat e Musk dhe pritet të dëshmojë në ditët në vijim. Procesi gjyqësor lidhet me pretendimet e Musk se OpenAI ka shkelur marrëveshjet themeluese, duke u larguar nga misioni jofitimprurës dhe duke u kthyer në një strukturë fitimprurëse./Albinfo