Ushtria ukrainase ka shpëtuar një zonjë të moshuar duke përdorur një dron dhe një automjet të vogël pa pilot.
Në mjet ishin shkruar fjalët “Gjyshe, ulu”, raporton televizioni BBC, duke publikuar një video të këtij operacioni.
Gruaja e moshuar po mundohej të largohej nga fshati i saj i rrënuar dhe ishte ndarë nga familja. Ajo ishte parë duke ecur ngadalë nëpër një rrugë, para se ushtria t’i dilte në ndihmë përmes robotit lëvizës.
E moshuara e quajtur Antonina madje shihet në një moment duke u rrëzuar në tokë.
“Thjesht rashë. Mendova se nuk do t’ia dilja. Nuk kisha fuqi. Mendova se do të shtrihesha mes drurësh dhe aq do të ishte [jeta ime]” – tha ajo.
77-vjeçarja thotë se ishte larguar nga shtëpia, sepse jeta pranë vijës së frontit u bë e pamundur.
Dronët tani luajnë rol kyç në shpëtimin e ushtarëve ose furnizimin e tyre, por ky rast ishte më ndryshe, tha korrespondentja e BBC-së, Jessica Parker.