Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e 30-të të këtij edicioni, ky vlerësim i është ndarë për herë të tretë futbollistit të Drenicës, Kreshnik Uka. Ai u dallua në ndeshjen ndaj Prishtinës së Re, ku realizoi dy gola në fitoren 2:3 të skuadrës së tij.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i cili ka çmuar paraqitjen dhe kontributin e lojtarit në këtë përballje.
Pas marrjes së çmimit, Uka u shpreh i kënaqur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e fitores dhe reagimit të ekipit pas disavantazhit në pjesën e parë.
“E kemi ditur që do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi duke parë vendin në tabelë të Prishtinës së Re, e dinim që i duhen pikët e plota. Fillimi i ndeshjes nuk ishte siç e kemi pritur, sepse në pjesën e parë ishim në disavantazh 1-0. Por, në pushimin e ndeshjes, së bashku me trajnerin, lojtarët dhe kapitenin Genc Hamiti, u dakorduam që të dalim fuqishëm në pjesën e dytë dhe ta rikthejmë ndeshjen – dhe ashtu doli,” deklaroi ai.
Ai shtoi se skuadra po punon me përkushtim dhe ka krijuar një mentalitet të ri, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që Drenica të synojë më shumë deri në fund të sezonit.
“Si klub, nuk e kemi pasur synim daljen në Evropë përmes kampionatit, por përmes kupës. Por, tash e tutje, çfarëdo që të vijë, pse jo, do të vazhdojmë. Kjo është meritë e bashkëlojtarëve, stafit dhe trajnerit, të cilët janë duke bërë një punë të mrekullueshme,” përfundoi Uka për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës./Indeksonline/