Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e 39-të për këtë vit, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan dokumente që lidhen me aspekte të ndryshme të proceseve zgjedhore.
Gjatë kësaj mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e dy dokumenteve analizë:
- Analizë e votave me asistencë në Zgjedhjet Lokale 2025; dhe
- Analizë e votave me asistencë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Qëllimi i këtyre dy dokumenteve është ofrimi i një vlerësimi të detajuar të votimit me asistencë gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025 në Republikën e Kosovës (12 tetor 2025), duke përfshirë raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave (9 nëntor 2025) dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës (28 dhjetor 2025).
Dokumenti synon të identifikojë trendet dhe veçoritë kryesore të kësaj forme votimi, përfshirë përmasën dhe shpërndarjen e saj, arsyet e deklaruara për përdorimin e asistencës, si dhe ndarjen sipas moshës, gjinisë dhe zonës urbane apo rurale.
Në analizën e votimit me asistencë për procesin e zgjedhjeve në nivelin lokal, pas përfundimit të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale, i mbajtur në tetor, KQZ ka kryer një analizë të thelluar të votimit me asistencë, përmes së cilës janë evidentuar sfida në zbatimin e kësaj procedure. Në bazë të këtyre gjetjeve, janë ndërmarrë masa për përmirësimin e procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime, me synim kufizimin e përdorimit të asistencës vetëm në rastet e lejuara me ligj, rritjen e kontrollit gjatë ditës së votimit dhe përmirësimin e dokumentimit të rasteve. Në këtë kuadër, analiza synon edhe krahasimin ndërmjet dy raundeve zgjedhore, për të vlerësuar ndikimin e masave të ndërmarra, si dhe për të identifikuar përmirësimet e arritura dhe sfidat që vazhdojnë të mbeten në zbatimin e votimit me asistencë.
Ndërkaq, në analizën tjetër, për votimin me asistencë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e kosovës, gjithashtu në fokus është analizimi i të dhënave dhe elementeve kryesore që kanë karakterizuar këtë proces.
Përmes kësaj analize synohet paraqitja dhe interpretimi i të dhënave të rëndësishme zgjedhore, me qëllim rritjen e transparencës dhe identifikimin e çështjeve që kërkojnë përmirësim në proceset e ardhshme zgjedhore.