Esteban Andrada, portier i Real Zaragozas, ka kërkuar falje pas grushtit që ia dha Jorge Pulidos, lojtar i Huescas.
Portieri ishte përjashtuar tashmë nga loja nga referi dhe menjëherë më pas e humbi kontrollin, duke e goditur shumë fort lojtarin kundërshtar.
Pas këtij episodi pritej reagimi i klubeve dhe i vetë lojtarit.
Reagimi i Zaragozës ka qenë i prerë përmes një komunikate në faqen zyrtare, shkruan “Gazeta Express”.
“Në momentet e fundit të ndeshjes SD Huesca – Real Zaragoza, e zhvilluar këtë të diel në ‘El Alcoraz’, kemi qenë protagonistë të disa pamjeve të papërshtatshme për këtë sport dhe që nuk duhej të kishin ndodhur kurrë. Këto veprime nuk i përfaqësojnë vlerat e Real Zaragoza dhe as të tifozëve tanë, të cilët gjatë historisë janë karakterizuar nga fisnikëria, guximi dhe respekti për kundërshtarin.”
“Ne jemi shembull dhe referencë për shumë tifozë, sidomos për fëmijët, të cilët na mbështesin në çdo ndeshje dhe ëndërrojnë të bëhen një ditë si idhujt e tyre. Prandaj, këto pamje të turpshme nuk duhej të kishin ndodhur kurrë.”
“Klubi e dënon fuqishëm atë që ndodhi në atë aksion, i cili e ka njollosur në mënyrë të papranueshme një ndeshje futbolli me rëndësi të veçantë për rajonin tonë. Kjo është e papranueshme. Sa i përket lojtarit tonë Esteban Andrada, klubi do ta analizojë ngjarjen dhe do t’i marrë masat disiplinore përkatëse.” /Gazeta Express