Korporata Energjetike e Kosovës ka dhënë një kontratë për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, me synim rritjen e sigurisë dhe uljen e incidenteve në sektorët kryesorë të prodhimit, shkruan Indeksonline.
Kontrata “Vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës në KEK sh.a”, ka një kohëzgjatje prej 36-muajsh.

Vlera e përgjithshme e saj arrin në 603,905.12 euro, ndërsa ishte parashikuar të kushtonte 605,931.00 euro.

Sipas përshkrimit të projektit, do të kryhet një vlerësim i detajuar i rreziqeve për një numër të madh pozicionesh pune: rreth 600 pozita në divizionin e qymyrit, rreth 287 pozita në termocentralin “Kosova B”, si edhe rreth 149 pozita të tjera në kuadër të operacioneve të termocentralit.
Qëllimi i këtij vlerësimi është identifikimi i rreziqeve potenciale në vendet e punës dhe rekomandimi i masave për minimizimin e incidenteve, si edhe përmirësimin e kushteve të sigurisë për punëtorët.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë NMA SH.P.K. dhe OZON space SH.P.K./IndeksOnline/